Ready, Study. Go! Poland
.Polonia sot tërheq studentë dhe shkencëtarë nga e gjithë bota. Jo vetëm një nga universitetet më të vjetra evropiane, në Krakovin e bukur, themeluar në vitin 1364. Edhe universitetet, politeknikët dhe shkollat tregtare: në Varshavë – kryeqytetin e Polonisë në zhvillim dinamik që shtrihet në zemrën e Evropës, Gdansk – në Detin Baltik, në vendin ku kryqëzohen kulturat dhe traditat, Torun – vendlindjen e astronomit të madh Nikola Kopernikut dhe shumë qytete të tjera polake, disponojnë një bazë shumë të mirë shkencore dhe akademike, duke siguruar arsim të sigurt dhe në nivel të lartë didaktik. Diplomat polake të studimeve të larta janë në të gjithë botën një provë e kompetencave të larta, si për të diplomuarit që duan të vazhdojnë karrierën shkencore, ashtu dhe për ata që me diplomat polake të studimeve të larta arrijnë sukseset në biznes, përfshirë në korporatat e mëdha ndërkombëtare.
Ndërkombëtarizimi i universiteteve polake është një proces i mirë-menduar i shtetit polak, i cili është nisur dhe mbështetet prej gjashtë vitesh nga Agjencia Kombëtare e Shkëmbimeve Akademike (NAWA), të cilën kam kënaqësinë ta drejtoj.
Kur në parlamentin polak po themelohej NAWA, një nga argumentet pro themelimit të institucionit tonë ishte që subjektet e ngjashme të arsimit të lartë që ekzistojnë tashmë prej shumë vitesh jashtë shtetit – DAAD apo Campus France kërkonin ekuivalentin e tyre polak. Sot si anëtar i ACA (Academic Cooperation Association) mund të marrim pjesë vazhdimisht në formimin e politikës shkencore evropiane, të marrim fjalë në diskutimet e rëndësishme mbi të ardhmen e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë ose Zonës Evropiane të Kërkimit. Kjo është thelbësore në kontekstin e realitetit në Evropë që ndryshon në mënyrë dinamike. Sot po krijohet arsimi i lartë evropian i së nesërmes – universitetet dhe institucionet polake marrin pjesë me forcë në këtë proces.
Vetëm në vitin 2022 Agjencia u ka shërbyer 6149 përfituesve individualë dhe 999 projekteve të realizuara. Marrim shumë sinjale pozitive nga komuniteti akademik që bashkëpunimi ndërkombëtar falë fondeve nga NAWA është intensifikuar. Shohim nevojën e bashkimit të ish bursistëve – studentëve tanë. Metoda më efikase e inkurajimit për të studiuar në Poloni janë pikërisht studentët të cilët më parë kishin kaluar rrugën formale, ndërsa aplikimi në programin NAWA, i përfunduar pozitivisht, ka ndryshuar jetën e tyre. Prezantimi i profileve të përfituesve të NAWA-s që korrin suksese në shkencë, biznes, administratë në vendet e tyre, kontribuon në popullarizimin si të NAWA-s ashtu dhe Polonisë si vend me një cilësi superiore të arsimit të lartë.
NAWA për gjashtë vite ka përgatitur një ofertë shumë të gjerë me program për studentë, shkencëtarë dhe institucione. Sot është një moment shumë i mirë për të përmbledhur ato që tashmë kemi arritur dhe për të caktuar objektiva të reja ambicioze. Dokumenti që përbën sui generis një pikë kthese në zhvillimin e mëtejshëm dinamik është Strategjia e Zhvillimit NAWA për vitet 2024-2030, e miratuar në shtator të këtij viti. Nga njëra anë, bilanci i veprimtarisë së deritanishme, nga ana tjetër shtysa për të filluar punë mbi një strategji kombëtare për ndërkombëtarizimin e shkencës dhe arsimit të lartë.
Kur të gjithë në Evropë u përballëm me sfida të tilla si pandemia Covid-19 apo lufta në Ukrainë, NAWA e përmbushi misionin tonë në mënyrë konkrete. Ky mision mund të përkufizohet me një fjali: mbështetja e shkencës dhe arsimit të lartë polak përmes shkëmbimeve akademike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Për më pak se një muaj nga fillimi i luftës në Ukrainë kemi nisur një program ndihmës për studentët dhe doktorantët nga Ukraina, ndërsa për shkencëtarët përtej kufirit tonë lindor, në bashkëpunim me Agjencinë më prestigjioze për fondet në botë NSF (National Science Foundation) realizojmë programin e IMPRESS-it, i cili konsiston në formimin e ekipeve kërkimore trilaterale amerikano-polako-ukrainase. Qëllimi i kësaj iniciative është përfshirja e komunitetit akademik ukrainas në standardet kërkimore ndërkombëtare.
Megjithëse leksionet për studentët e huaj në universitetet polake realizohen në lingua franca moderne, pra në anglisht (edhe pse shumë shkencëtarë polakë zotërojnë gjithashtu gjuhën franceze, gjermane, ruse, spanjolle dhe italiane), merremi gjithashtu me promovimin dhe përhapjen e njohurive mbi gjuhën polake si gjuhë e huaj në nivelin akademik. Vëmendje të veçantë meriton programi Lektorët NAWA në të cilin dërgojmë 82 lektorë në 39 vende në pesë kontinente që në qendrat akademike të mësojnë gjuhën polake si gjuhë e huaj. Ata janë njerëz me pasion, vendosmëri të madhe për të promovuar kulturën dhe gjuhën polake në qoshet më të largëta të globit – p.sh. Kinë, Meksikë, SHBA apo Tajlandë.
.Personave me prejardhje polake u drejtojmë programin Kthimet Polake NAWA. Agjencia siguron kushte tërheqëse page, mbulon kostot e shpërnguljes, siguron mundësinë e krijimit të ekipit kërkimor personal, për të inkurajuar shkencëtarët polakë më të mirë nga jashtë shtetit për t’u kthyer pranë lumit Vistula dhe për të zhvilluar kërkimet shkencore. Realizimi i programit nuk do të ishte i mundur, nëse nuk do të ekzistonte bashkëpunimi shumë i mirë i Qendrës Kombëtare të Shkencës me Qendrën Kombëtare për Kërkim dhe Zhvillim, të cilat financojnë përkatësisht komponentin e kërkimit bazë dhe të aplikuar për studiuesin që kthehet. Që nga viti 2018 në Poloni janë kthyer 71 shkencëtarë, mes tyre 20 nga Britania e Madhe, 18 nga SHBA, 9 nga Gjermania. Një nga motivimet më të shpeshta mes përfituesve të Kthimeve Polake, përveç aspektit financiar, është synimi i rindërtimit të marrëdhënieve me të afërmit që jetojnë në Poloni dhe shfrytëzimi i kompetencave personale për të mirën e Atdheut në çdo aspekt.
David Kostecki
Programi Banach NAWA
.Fito bursë në programin Banach NAWA! Eja në Poloni të studiosh degë master në fushën e shkencave inxhinierike-teknike, shkencave bujqësore ose shkencave ekzakte dhe natyrore. Studio në polonisht ose në anglisht – zgjedhja është e jotja.
Programi Banach NAWA ofron studime në universitetet publike falas dhe bursë mujore për të mbuluar kostot e jetesës në periudhën e arsimimit në Poloni. Nëse je shtetas i Shqipërisë, Armenisë, Azerbajxhanit, Bjellorusisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Gjeorgjisë, Kazakistanit, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Moldavisë, Serbisë, Ukrainës ose Uzbekistanit – mund të zgjedhësh gjithashtu një degë të shkencave humane ose sociale (përveç degëve filologjike në gjuhën tënde amtare).
Çdo vit disa qindra persona nga vendet në zhvillim fitojnë bursa në programin Banach NAWA – bashkohu me ta!
Më shumë mbi programin Banach NAWA: nawa.gov.pl/studenci/studenci-zagraniczni/program-stypendialny-im-stefana-banacha
Poland My First Choice NAWA
.Do të studiosh në vendin që ndodhet në zemër të Evropës dhe është pjesë e BE, me një trashëgimi të pasur kulturore dhe natyrore si dhe që ofron studime në nivel të lartë me një çmim të arritshëm? Studio në Poloni falë bursës NAWA, e menduar posaçërisht për ty!
Poland My First Choice NAWA është një program pikërisht për ty! Mundëson fillimin e studimeve të ciklit të II-të (master), me kohë të plotë, në shumicën e universiteteve në Poloni (studimet në universitetet publike janë falas). Zgjedhja e universitetit, degës dhe gjuhës së studimeve është e jotja.
Të diplomuarit nga programi pohojnë se ky i ndihmoi ata të përfundonin studimet e ëndrrave dhe më vonë të gjenin një punë në profesionin e tyre – shumë prej tyre qëndruan në Poloni pas mbarimit të studimeve.
Mëso më shumë se si të aplikosh tani: nawa.gov.pl/studenci/studenci-zagraniczni/program-poland-my-first-choice
Ready, Study, Go! Poland
.Njihuni me „Ready, Study, Go! Poland” – fushatë zyrtare promovuese të studimeve në Poloni që zhvillohet nga Agjencia Kombëtare e Shkëmbimeve Akademike.
Në faqen e internetit dhe rrjetet sociale „Ready, Study, Go! Poland” do të bindesh pse Polonia është tërheqëse dhe ia vlen të studiosh atje, do të mësosh se çfarë studimesh dhe bursash do të gjesh në Poloni dhe se si ta gjeni veten në realitetin, kulturën dhe gjuhën polake.
„Ready, Study, Go! Poland” jep shumë informacion të dobishëm për të gjithë ata që synojnë të fillojnë studimet në universitetet në Poloni dhe i ndihmon të planifikojnë aventurën e tyre akademike nga fillimi. Programi promovon gjithashtu mirëkuptimin dhe respektin për shumëllojshmërinë kulturore duke inkurajuar studentët nga vendet e ndryshme të botës të shkëmbejnë përvojat. Studimet me cilësi të lartë, përvojat interesante kulturore dhe atmosfera miqësore – të gjitha këto të presin në Poloni!
Bashkohu me RSGP! study.gov.pl/